Si sot para tre vitesh, fadromat e Bashkisë dhe efektivët e policisë nxorën nga godita e Teatrit Kombëtar në Tiranë aktorët dhe shembën fasadën e Teatrit.
Gjatë gjithë asaj dite dhe atyre që pasuan, në Tiranë u zhvilluan protesta dhe shumë persona, aktorë, aktivistë të Teatrit dhe qytetarë u shoqëruan në Polici.
Këshilli i Ministrave përmes një vendimi ia kaloi në pronësi Bashkisë së Tiranës truallin ku ndodhej Teatri Kombëtar dhe më pas Këshilli Bashkiak vendosi për shembjen e tij.
Në orën 04.00 të mëngjesit të 17 Majit 2020, hyrja e godinës së Teatrit Kombëtar u shemb.
Pas shëmbjes, qeveria së bashku me anëtarët e saj, përfshir dhe Bashkinë në daljen në media, shpreheshin se teatri do shembej për të ndërtuar një të ri.
Por sot, pas 3 vitesh, përballemi dhe njëherë me premtimet boshe të qeverisë.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe aktori Florjan Binaj, i cili shkruan se sot mbushen 3 vjet nga prishja e Teatrit Kombëtar, i cili si ndërtesë unikale historike duhet rindërtuar siç ka qenë, madje përveç teatrit të shërbejë edhe si muze!
Postimi i plotë i Binajt:
Sot mbushen 3 vjet nga prishja e Teatrit Kombëtar, i cili si ndërtesë unikale historike duhet rindërtuar siç ka qenë, madje përveç teatrit të shërbejë edhe si muze!
Më poshtë janë disa fakte historike interesante që kanë lidhje me të:
Ka qenë ndërtesa më e vjetër funksionale ku ishte luajtur teatër
Aty ka lindur Instituti i Studimeve Shqiptare (më vonë u quajt Akademia e Shkencave)
Shkolla e Rektorëve “Aleksandër Moisiu” (më vonë Instituti i Lartë i Arteve, Akademia e Arteve), sot Universiteti i Arteve
Cirku i Tiranës (i vetmi cirk në Ballkan)
Estrada e Shtetit (më vonë Estrada e Tiranës, Teatri i Varietesë), sot Teatri i Metropolit
Lidhja e Shkrimtarëve
Filarmonia e Shtetit
Kampionati i Parë i Boksit
Koncertet e para folklorike shqiptare
Opera e parë (italiane)
Gjygji i parë komunist (i paligjshëm) i fillimit të diktaturës komuniste
Përveç vlerave historike që ka shtojmë edhe vlerat arkitektonike të cilat i kanë shprehur specialistët italianë të Universitetit të Barit: “Ky projekt i Giulio Berte është një shkrirje (në italisht “a metà strada)”, midis pikturave të De Chirico dhe vizatimeve (projekteve) të Antonio Sant’Elia.
Është quajtur një arkitekturë e shkëlqyer e postfuturizmit, në Shqipëri e vetmja (sot “specie” në zhdukje në të gjithë botën).
Rindërtimi i Teatrit Kombëtar duhet bërë siç ka qenë në projektin origjinal, merrni shembull Teatrin Glob në Britani (Globe Theatre) që është ndërtuar nga e para, është rindërtuar me të njëjtën teknologji siç ka qenë përpara 300 vjetësh, është ndërtuar me dru, nuk ka pjesë metalike dhe çatinë e ka me kashtë!
The post “3 vite pa Teatrin Kombëtar dhe 3 vite me mashtrime e premtime boshe”/ Reagon Florian Binaj: Rindërtimi duhet bërë siç ka qenë në projektin origjinal ! appeared first on Gazeta Standard Online.