Përfaqësues të Partisë Demokratike, kanë zhvilluar një ceremoni në monumentalin e Ismail Qemalit në Vlorë me rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë.
Pjesëmarrës në ceremoni ishin kreu i Grupit, Gazment Bardhi, sekretari i Përgjithëm, Flamur Noka dhe nënkryetari Edi Paloka.
Flamur Noka, në një deklaratë për mediet tha se 28 nëntori është një ditë e bekuar për Shqipërinë dhe uroi që shiptarët të jenë më të bashkuar.
Ai gjithashtu, komentoi lirimin e Sali Berishës, kreut të opozitës, i cili një ditë më parë rifitoi lirinë dhe pas 331 ditësh doli nga arresti shtëpiak. Noka tha se lirimi i tij erdhi si pasojë e zhvillimeve të vrullshme politike.
Flamur Noka: Dua ta shfrytëzoj në emër të PD për të uruar gëzuar këtë ditë të bekuar. Është vërtet një ditë e bekuar, një ditë e shenjtë që nisi në 28 nëntorin e vitit 1443 kur Skënderbeu e vendosi këtë flamur të bekuar në Kalanë e Krujës dhe e çliroi nga turqit.
28 nëntori i dytë është i vitit 1912 kur plaku i Vlorës, Ismail Qemali, e ngriti këtë flamur këtu në Vlorë për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë. 28 nëntori i tretë është i vitit 1944, kur ky flamur u ringrit përsëri për të simbolizuar largimin e pushtuesve gjermanë.
Kjo është një ditë e madhe ndaj e shfrytëzoj në emër të PD edhe njëherë gëzuar, të na gjejë më të bashkuar, me një Shqipëri ndryshe, të na gjejë në festë, pa krim, pa korrupsion, pa drogë, pa drejtësi të kapur dhe me liri dhe demokraci të vërtetë.
Lirimi i zotit Berisha erdhi si pasojë e zhvillimeve të vrullshme politike. E para ishte fitorja e presidentit Trump në SHBA, çka preu metastazat e Xhorxh Sorosit edhe në Shqipëri. E dyta janë rezolutat dhe mbështetja e partnerëve që i bënë PD-së. Kujtoj këtu rezolutat e CDI dhe PPE, dy rezoluta që flasin qartësisht për një shtet të kapur nga krimi dhe korrupsioni, një shtet ku opozitës i janë mbyllur hapësirat, një shtet pa liri ku drejtësia përdoret si marionetë në duart e pushtetit kundër opozitës. Flasin qartësisht për burgosjen e lidershipit të opozitës.
Faktori i tretë dhe kryesorja është rezistenca dhe qëndresa e demokratëve në të gjithë Shqipërinë. Është mosbindja civile. Të gjitha këto bënë që më në fund e vërteta dhe vetëm e vërtetë ta triumfojë. Strasburgu pastaj ishte një sirenë alarmi për drejtësinë e Xhorxh Sorosit në Shqipëri.
Strasburgu ndërmori hapa të shpejtë, një procedurë të përshpejtuar për të shqyrtuar çështjen e burgosjes politike të Sali Berishës. Kjo bëri që të nguten sepse Strasburgu do rrëzonte përtokë përfundimisht drejtësinë e Xhorxh Sorosit në Shqipëri.
The post Flamur Noka nga Vlora: Uroj këtë ditë të bekuar, lirimi i Berishës erdhi si pasojë e zhvillimeve të vrullshme politike appeared first on Albeu.com.