Pasi refuzoi tre herë të paraqitet para oficerëve gjyqësorë ashtu siç e udhëroi Gjykata e Posaçme, SPAK merr hapin tjetër. Përmes një kërkese që mban datën 12 dhjetor 2023 dhe firmën e kreut të SPAK, Altin Dumani i kërkohet Kuvendit autorizimin për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit.
Sali Berisha po hetohet për korrupsion pasiv lidhur me aferën e privatizimit të kompleksit Partizani, pasuar me ndërtimin e 19 kullave si dhe fitimin, sipas SPAK të 5.4 mln eurove të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi. Dhëndri i ish kryeministrit i cili aktualisht ndodhet në ‘arrest shtëpie’ pasi qëndroi një muaj në paraburgim akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash në këtë aferë.
Kërkesa e Dumanit
E nderuar znj. Kryetare e Kuvendit!
Të nderuar Deputetë të Kuvendit!
Mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 231, 260, 288, 289 të K.Pr. Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal shtrëngues nga ajo e “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, në atë të arrestit me burg/ arrest shtëpie, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e proçedimit penal nr. 287 të vitit 2020, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë.
Kërkesa në respektim të nenit 288 pika 2, të K.Pr.Penale u shoqërua edhe me një relacion të arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse.
Berisha nuk është paraqitur në SPAK, në tri datat e caktuara 6 nentor, 20 nentor dhe 4 dhjetor.
Reagimi i Berishës
Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se kërkesa e SPAK për arrestimin e tij është e bazuar mbi një vendim antikushtetues. Ai hodhi akuza ndaj drejtësisë duke thënë se vendimi i SPAK është i paligjshëm, ndërsa tha se opozita do të vijojë betejën.
“Tani, edhe njëherë. Vendimi i parlamentit do të zbatohet nga Sali Berisha, sado që vendimi i skap është vendim i paligjshëm, i bazuar në një vendim të paligjshëm.
Por nëse parlamenti, se edhe njëherë, kufizimet ndaj drejtësisë, imuniteti, nuk janë të individit, janë në radhë të parë të parlamentit. Janë të parlamentit në mënyrë që askush të mos mund ta destabiliziojë me procedura të tjera parlamentin. Ky është morali i tyre. Pastaj sigurisht individi është pjesë e parlamentit.
Në këtë kontekst, nëse parlamenti pranon këtë vendim të paligjshëm të bazuar edhe ky mbi një vendim antikushtetues të paligjshëm është përgjegjësia e tij. Unë do të përputhem me veprimet e gjyqësorit.
Përsa i përket opozitës të garantoj se asgjë nuk e ndalon dot betejën e saj pa kthim gjer në fitore. Ajo do të zhvillohet në çdo skaj dhe shqiptarët e shohin këtë si një përpjekje tjetër për të dëmtuar opozitën dhe për ta ç’aktivizuar atë.
Por e kundërta do të ndodhë. Ky është një frymëzim për opozitën. Ky akt që ndërmerret kundër meje, është një frymëzim dhe kushtrim i ri për opozitën. Në këtë kontekst ndihem më i motivuar se kurrë.”, tha Berisha.
Ai hodhi akuza se kjo është një vepër e Edi Ramës.
Në vitin 2012 Sali Berisha ka dërguar në parlament abrogimin nga kushtetuta të çdo lloj mbrojtje të deputetëve të kuvendit. Ky ligj, ky amendament i qeverisë është kundërshtuar nga Rama dhe është pranuar vetëm lejimi i hetimit të deputetëve. Unë kam deklaruar edhe këtu para kush që jam i gatshëm ta votoj vetë këtë ligj edhe sot dhe nuk kam asnjë kundërshtim. Nëse unë nuk pranuar urdhrin e gjykatës dhe të SKAP nuk kam pranuar se ajo është shkruaje e kushtetutës. Kam mbrojtur kuvendin dhe jo Sali Berishën. Kam refuzuar të zbatoj urdhër anti-kushtetues nga një gjykatës në konflikt interesi, e shkarkuar nga unë më datë 8 shkurt 1986 dhe e fsheh këtë fakt.
Sa i përket konsistencës sime ndaj propozimit të vitit 2021. Jam që deputetë të mos kenë asnjë lloj dallimi nga qytetarët e thjeshtë në kushtetutë. Kërkesë krejtësisht normale. Në parim jam 100% dakord, nuk duhet të ketë për deputetët mbrojtje. Që një gjykatës të thotë se nuk është heqje lirie dalje jashtë shtetit, kur kushtetuta sanksionin një nen të veçantë, kjo është të tallesh me kushtetutën. Do parlamenti që ta dorëzojë, e votoj që nesër, nuk kam asnjë kundërshti. Kanë gabuar rëndë ata që kanë kujtuar se unë nuk paraqitem, jam paraqitem dhe paraqitem, kësaj radhe kishte të bënim me shkruarjen e neneve të kushtetutës, ishte një akt puçist.
“Çfarëdo vendimi pas autorizimit të parlamentit, do ta respektoj pa asnjë diskutim. Qëndrimi im, i përsëritur këtu, ua kam thënë sa herë keni pyetur, ka të bëjë me kushtetutshmërinë e vendit. Unë nuk mund të bëhesha kurrë njeriu që zbatoi një vendim antikushtetues. Isha në vështirësi në këtë rast se kishte të bënte me mua, por ai ishte një akt i shkruarjes së Kushtetutës në zyrat e prokurorëve ose gjykatësve. Nuk mund të ndodhte dhe nuk ndodh kurrë përmes Sali Berishës. Tani parlamenti të vendosë ç’të dojë, sepse unë kam firmosur në vitin 2012, abrogimin e nenit 70 të Kushtetutës, pikës 3 që i jep atributet deputetit.
Ndaj dhe kjo është një gjë që po e vendosi parlamenti… unë vetë po e përgatisja për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Se në rast se Gjykata Kushtetuese vendos, unë do e zbatoj sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i barabartë me prerogativën kushtetuese. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese për mua do ishte 100 përqind i zbatueshëm për faktin se në doktrinën e të drejtës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i barabartë me prerogativën dhe ajo bëhej shteg për t’u zbatuar ai amendament që unë kam çuar në vitin 2012…
…Kjo e gjitha është e Edi Ramës, por unë këtu para jush e kam thënë 100 herë që jam pa asnjë kusht për hetimin, sepse e kemi hequr nga Kushtetuta hetimin. Unë nuk mund të kem dy qëndrime, unë jam njeri i një standardi. A është i drejtë apo i padrejtë, ai është tjetër qëndrim, por asnjë lloj shmangie nga organet e drejtësisë nuk mund të ketë, përveç rastit kur ato i morën pushtet parlament. Tani e zgjidh parlamenti. Sa herë kanë ardhur për të sjellë ato fletushkat, u kam thënë dërgojini në parlament. Kjo ka qenë përgjigjia ime. Tani vendos parlamenti, të jetë fare i lirë parlamenti”, tha Berisha.
The post Afera ‘Partizani’, SPAK i kërkon Kuvendit autorizim për arrestimin e Sali Berishës! Ish- kryeministri: E zbatoj, nëse parlamenti e voton appeared first on Shekulli.