Skema me të cilën kanë vjedhur drejtorët e bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla nuk ka të krahasuar me metodat e vjetra të korrupsionit në këto 30 vitet e fundit në Shqipëri. Deri dje, kush kishte në mend të përfitonte nga tenderat, detyrohej të binte në ujdi me biznesmenët për t’i marrë ryshfetin, që flitej se shkonte tek 20%.
Kurse drejtorët e Erjon Veliajt nuk kënaqeshin me pak. Në vend se të jepnin tenderin dhe të prisnin ryshfetin, ata i ranë shkurt, i merrnin për vete të gjitha paratë. Shmangën biznesmenët nga skema, krijuan një kompani vetë dhe tenderat i fitonin me kompanitë e veta.
Në thelb, këtë provon edhe dosja e SPAK, që çoi në burg bashkëpuntorët më të ngushtë të Erjon Veliajt, ish drejtorin e IMT-së Mariglen Qaton, ish drejtorin e Ujësjellësit Redi Mollën dhe ish-drejtorin e planifikimit Taulant Tushe.
Dy drejtorët e arrestuar dhe Veliaj
Kuptohet se nga numri i madh i tenderave që i kishin marrë bashkisë, veprimtaria e kompanisë “5D Konstruktion” ishte e njohur për fuqinë që kishte brenda institucionit. Madje spekulimet, se Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe kishin edhe bekimin e kryetarit të bashkisë Erjon Veliajt përmenden edhe në bisedat e vartësve të tyre.
SPAK ka zbardhur bisedat e Jonida Bejkos, punonjëse e kompanisë “5D Konstruktion”. Në bisedë e sipër me një të njohurin e saj i tregon atij hotelin që drejtorët e Veliajt po ndërtonin në Durrës duke shtuar se “është aks. pronari jon… Lali eri… e kta”. Më poshtë faksimile nga dosja e SPAK me përgjimet.
Bisedat e Bejkos janë zbardhur nga celulari i saj i sekuestruar gjatë bastisjes së zyrave të kompanisë nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Bejko tregon se si i kishin kërkuar që të përfshihej në fushatën e Partisë Socialiste, pasi dihej se pronarët realë të kompanisë “5D Konstruksion” ishin drejtorë në bashkinë e Erjon Veliajt.
Vetë punonjësja, pranon në bisedat me miqtë e saj se Mariglen Qato është një nga njerëzit më të rëndësishëm në bashki, praktikisht nr.2 i institucionit, pas Erjon Veliajt. Siç lexohet më poshtë:
Nga biseda të tilla, të nxjerra nga celularët e punonjësve të kompanisë, prokurorët kanë krijuar bindjen se pronarët realë janë Mariglen Qato dhe Redi Molla. Më pas, kanë verifikuar nëse bisedat korrespondojnë me lëvizjet e parave në bankë, apo me procedurat e tenderave në bashki. Gjithçka ka rezultuar e qartë: kompania “5d Konstruksion” u krijua nga drejtorët e bashkisë për të fituar tenderat e institucionit.
Nga viti 2016 deri në 2020 me kompaninë e tyre, drejtorët kanë bërë kërdinë. Rezulton se kanë fituar 13 tendera në bashki dhe 10 tendera tek ujësjellësi që e drejtonin vetë. Fitimet janë disa qindra miliona lekë.
Me pak fjalë, taksat që u merren qytetarëve kalonin në buxhetin e bashkisë së Tiranës. Nga aty drejtorët i tenderonin tek kompania e tyre private dhe më pas në xhepat e tyre. Shiko dokumentin më poshtë, që sipas dosjes së SPAK tregon qindra miliona lekë të fituara përmes kësaj skeme:
Një e dhënë e rëndësishme për prokurorët kanë qenë disa blloqe me shënime personale të administratorit të kompanisë “5D Konstruktion” Nestor Muhametllari. Ky person rezulton të jetë edhe truri i kompanisë.
Nestor Muhametllari merrej si për të “kopsitur” procedurat fiktive të tenderave të trukuar, ashtu edhe për ndarjen e parave mes drejtorëve të bashkisë, duke ruajtur një lloj ekuilibri në marrëdhëniet mes tyre.
Në bllokun me shënime që iu gjet Nestor Muhametllarit, emrat e dy drejtorëve janë të shenjuar me (M) për Mariglen Qaton dhe me (R) për Redi Mollën. Kuptohet se herë njëri dhe herë tjetrin vijnë dhe marrin para nga arka e kompanisë dhe për të qenë në rregull me të dy, Nestori mbante shënimet si më poshtë:
Pjesë nga shënimet e bllokut të Nestor Muhametllarit që mbante llogaritë e parave të drejtorëve të Bashkisë
Nga leximi i dosjes, rezulton se Nestor Muhametllari kishte të njëjtin rol si Klodian Zoto në aferën e inceneratorëve. Pasi mbaronte punë me letrat e kompanisë private, Nestori merrej me dokumentat shtetërore, ku i duhej të përgatiste tenderat me porosi, në mënyrë që të skualifikonte kompanitë e tjera në garë dhe ta fitonte tenderin për kompaninë “5D”.
Një ndër këta shembuj është tenderi për rikonstruksionin e palestrës së mundjes për sportklub “Tirana”, institucion në varësi të bashkisë.
Nga mesazhet në celularët e sekuestruar del se drejtuesja e institucionit, Deborah Keçi është gjithë kohës në komunikim me Nestor Muhametllarin gjatë kohës kur përgatiteshin procedurat për tenderin.
Ajo i ka urdhrat të qarta: paratë duhet të kalojnë tek kompania “5D” dhe për këtë duhet t’i bindet Nestor Muhametllarit.
Deborah Keçi i jep Nestor Muhametllarit të gjithë dokumentacionin paraprak për organizimin e tenderit, madje i mundëson hyrjen në sistem në mënyrë që ai të hedhë vetë të dhënat, duke u pajisur me “user” dhe “password” të një prej antarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Deborah Keçi skualifikon kompanitë e tjera private që kishin marrë pjesë në “garë” dhe shpall fituese kompaninë “5D”. Në fund, bashkë me Nestor Muhametllarin i përgjigjet edhe kompanive që kanë ankimuar tenderin.
Por gjatë kohës që komunikon me mesazhet ne whatsapp, Keçi nuk e fsheh frikën për manipulimin që po bën. Me mesazhe, lutet që dokumentat të shihen me kujdes, duke thënë: “Vetëm aman shikojini tamam se mos ham ndonjë burg”.
Nga një shikimi i shpejtë i dosjes së drejtorëve të arrestuar të bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe bien në sy dy detaje domethënëse për vjedhjen.
Së pari është shtrirja në kohë e punëve që ka kryer kompania “5D”. Nga viti 2016 deri në vitin 2023 kur u denoncua nga Belind Këlliçi janë 7 vjet vjedhje e buxhetit të bashkisë së Tiranës.
Së dyti, është fakti se drejtorë të disa dikastereve në bashkinë e Tiranës kanë pranuar të firmosin procedurat e manipuluara të tenderave edhe pse ishin në dijeni se paratë po shkonin në xhepat e kolegëve të tyre.
Nuk është vetëm rasti i Deborah Keçit, por edhe i drejtorit të transportit Enton Punavisë apo i drejtoreshës së “Tirana Parking”, Eglantina Zëre, të cilët sot janë në ndjekje penale nga SPAK.
Kuptohet se këta nuk kanë firmosur në kundërshtim me ligjin për t’i bërë një nder kolegëve të tyre, që sot janë në burg. Gjasat janë që ata të kenë marrë urdhër nga lart, nga i vetmi njeri që kishte fuqinë t’i bëjë bashkë në një vjedhje sistematike dhe e strukturar.
Por SPAK këtu e ka ndalur hetimin, duke lënë në pikëpyetje, nëse Erjon Veliaj ishte pronari i vërtetë i kompanisë “5D” apo drejtorët hëngrën mollë dhe dardha pas shpinës së tij?/Lapsi.al
The post “Aksioner është Lali Eri e këta”, SPAK nxjerr përgjimet e bisedave të drejtorëve të arrestuar në bashkinë e Tiranës appeared first on Shekulli.