Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i shoqëruar nga Drejtuesi Politik për Elbasanin, Tomorr Alizoti, ka zhvilluar takimin me pensionistët në hotel Turizmi, Elbasan.
Në fjalën e tij, lideri i opozitës u shpreh se qëndresa e qytetarëve të Elbasanit kundër diktaturës, pati një jehonë shumë të madhe sepse e bëri botën të ndjeshme me çfarë do përballej opozita e sapokrijuar shqiptare.
Berisha tha se, kjo është një datë shumë e rëndësishme, por ne sot nderojmë këtë datë, nderojmë ata burra dhe gra, të rinj, që u përballën dhëmb për dhëmb me diktaturën, pasi gjendemi në një diktaturë të re, e ndryshme nga ajo e 32 viteve më parë.
“Një përshëndetje të përzemërt dhe mirënjohje për të gjithë ju zonja dhe zotërinj, burra dhe gra të nderuar që keni ardhur në këtë takim, deputetët, drejtuesit e PD, drejtuesin politik dhe të gjithë ju sot në këtë sallë.
Kam kënaqësi që takohem sot me ju në një datë të veçantë për Elbasanin dhe demokracinë.
Me 11 dhjetor 1990, Ramiz Alia mblodhi Plenumin e Komitetit Qendror dhe u mposht nga kërkesat e studentëve dhe i pranoi ato.
U themelua në Tiranë, PD.
Qytetarët në Elbasan u ngritën në protesta të fuqishme kundër diktaturës. Ramiz Alia në Elbasan u nxori tanket, përdori mjetet më të egra të dhunës, proceset speciale, gjyqet speciale, dënimet drakoniane.
Tregoi brenda dy ditëve fytyrën e tij të vërtetë, të cilin mediat e huaja e quajtën Brezhnjev.
Ajo qëndresë e qytetarëve të Elbasanit pati një jehonë shumë të madhe sepse e bëri botën të ndjeshme me çfarë do përballej opozita e sapokrijuar shqiptare. Përballej pra me një regjim stalinist, i cili dy ditë më parë votoi pluralizmin, dy ditë më vonë u nxirrte tanket protestuesve paqësore.
Kjo është një datë shumë e rëndësishme, por ne sot nderojmë këtë datë, nderojmë ata burra dhe gra, të rinj, që u përballën dhëmb për dhëmb me diktaturën, pasi gjendemi në një diktaturë të re, e ndryshme nga ajo e 32 viteve më parë.
Një diktaturë e cila nuk bazohet më në doktrinën e Marksit dhe Leninit, por bazohet në krimin, drogën, vjedhjen e qytetarëve shqiptarë.
Një diktatura, e cila njëlloj si e para, i ka të gjitha pushtetet në duart e një njeriu.
Një diktaturë, e cila njëlloj si e para, kontrollon drejtësinë dhe e përdor atë në armë politikë.
Një diktaturë, e cila njëlloj si e para, ka shndërruar zgjedhjet në një fasadë elektorale.
Një diktaturë, e cila nuk ka kampe përqendrimi, por ka të burgosur politikë dhe nuk toleron opozitën, arreston drejtuesit e opozitës me qëllimin e vetëm që të marrë mandatin.
Një diktaturë, e cila vjedh në mënyrën më të paimagjinueshme, aq sa Enver Hoxha futi në bunker buxhet dhe para, kaq vjedhin këta për familjen dhe sojin e sorollopin e tyre”, tha Berisha.
The post Berisha: Elbasani u ngrit në protesta të fuqishme kundër komunizmit, por tani përballemi me një diktaturë të re! appeared first on Gazeta Standard Online.