Prej dy ditësh banka e klasës së nëntë në shkollën “Fan Noli”, ku ulej 14-vjeçari Martin C. është bosh. Ditën e mërkurë shokët e tij të klasës, e kanë mbushur vendin e tij me tufa me lule të bardha. Në një postim në rrjete sociale të njërit nga shokët e tij të klasës shkruhet: “Sa bosh duket klasa pa ty, në zemrat tona do të jesh gjithë jetën”.
Martin C. humbi jetën mesditën e 18 tetorit pasi u qëllua me thikë nga bashkëmoshatari i tij, Mario P.. Ngjarja e rëndë ndodhi pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli”. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj. Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin.
Pasi është goditur me thikë, ai është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, ai ka ndërruar jetë në spital. I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me ta, por stërvitej në të njëtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili dyshohet se ka dëmtuar ligamentet e dorës dhe po trajtohet në një klinikë private.
Pak çaste pas krimit të rëndë autori kishte postuar foto me thikën më të cilin autori kreu vrasjen dhe dorën e tij e gjakosur që u plagos gjatë konfliktit. Po ashtu edhe në aplikacionin “Snapchat”, kishte publikuar një tjetër foto ku shihet i pashqetësuar për krimin që ka kryer. Në foto si për të demonstruar forcën mbante grushtin lart.
Po ashtu nga fotoja vihet re se autori ndodhet në një makinë, e cila dyshohet se e ka marrë nga vendngjarja, menjëherë pas krimit që kishte kryer. Ata që kanë marrë autorin, dyshohet se janë lajmëruar nga vetë ai dhe kanë ardhur me automjetet e tyre nga Sauku. ©LAPSI.al
The post Ç’ndodh prej 2 ditësh në klasën e Martinit në shkollën “Fan Noli” appeared first on Lapsi.al.