Asgjë nuk e përkëdhel më shumë sedrën e Ramës se ëndrrat me lidership global, që shpesh e nxjerrin si një figurë groteske, jashtë realitetit.
E tillë ishte përpjekja për të kandiduar Igli Hasanin në pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, kandidaturë që është rrëzuar përfundimisht.
Kryeministri kishte luajtur me këtë kandidaturë dhe efektin që do të kishte kjo në diplomacinë shqiptare, si një arritje e “paimagjinueshme” e qeverisë së tij.
“..as nuk mund të imagjinoheshin deri disa vite më parë, që Shqipëria të bëhej një pikë referimi dhe që Shqipërisë t’i besoheshin të tilla role dhe aq shumë kanë ndryshuar në këtë aspekt roli i botës me ne, saqë po bëhet natyrshëm edhe jo e lehtë për t’i numëruar të gjitha sepse mund padashje të harroja që, ndërkohë kemi patur edhe kryesinë e OSBE-së ku falë një tjetër ambasador, që sot është ministri juaj i jashtëm dhe jo rastësisht është kërkuar nga një pjesë e madhe e vendeve të OSBE-së për të kandiduar për rolin e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, ne kemi pasur një tjetër mundësi të shfrytëzuar, besoj unë, në mënyrën më të mirë, ku përsëri kemi ushqyer respekt, besim dhe kemi rritur prestigjin e vendit tonë”, u shpreh Rama në konferencën e Ambasadorëve pak ditë më parë.
Në të vërtetë, sinjalet që kandidatura e Hasanit do të rrëzohej kishin ardhur që në datën 22 Gusht, por sërish Rama nuk i rezistoi deklaratës publike ku e bën Shqipërinë “pikë referimi” dhe që “i besohen të tilla role”.
Kuptohet se peshku ishte në det, ndërsa “tigani në zjarr” u vu sa për ta shtuar disi dozën e propagandës që mëton të japë idenë se, pavarësisht korrupsionit dhe skandaleve, Shqipëria mbetet faktor në politikë të jashtme.
Lapsi.al nga burimet e tij në Vienë ka mësuar se kandidatura e Shqipërisë është rrëzuar përfundimisht dje gjatë takimit të Ambasadorëve, të cilët kanë kërkuar që të shihen kandidatura të tjera.
Hasani, me një eksperiencë për t’u vlerësuar, është rrëzuar nga një numër i caktuar shtetesh me gjeografi interesante.
Për të gjithë ata që nuk e dinë, OSBE është një organizëm, ku nuk kryhet votim për t’i zgjedhur krerët e saj. Procedura është e tillë që vendet që aspirojnë një pozicion, sigurojnë mbështetje përmes lobimit dhe në fund fiton ai emër për të cilin nuk ka kontestime.
Gjatë konferencës së Ambasadorëve ra në sy mungesa e ambasadorës tonë në Vjenë Eglantina Gjermeni, ish-ministre.
Lapsi.al u interesua pranë ministrisë së jashtme dhe mësoi që Gjermeni u kthye në Tiranë për punimet e konferencës por u detyrua të niset urgjent drejt Vienës me urdhër të ministrit të jashtëm, për të ndjekur zhvillimet në OSBE lidhur me kandidimin e tij. ©LAPSI.AL
The post Dështon përpjekja e Shqipërisë për postin e sekretarit të OSBE appeared first on Lapsi.al.