Barazimi i Juventus-it në Champions League në fushën e Aston Villa ka nxjerrë në pah dyshimet e para mbi menaxhimin e trajnerit të ri, Thiago Motta, i cili, pas barazimit të tij të nëntë këtë sezon – i pesti 0-0 – është vënë në qendër të kritikave.
Skuadra e tij në Birmingham tregoi sërish një soliditet të madh difensiv (edhe pse, në sekondat e fundit të ndeshjes, rrezikoi të dorëzohej pas golit të Rogers, i cili u anulua nga VAR, duke shkaktuar zemërimin e Unai Emery-t). Megjithatë, Juventus vazhdon të tregojë vështirësi të mëdha në krijimin e rasteve sulmuese, përveç situatave nga goditjet standarde (ku u krijua edhe rasti më i mirë i bardhezinjve: një goditje me kokë e Conceicao që u ndalua nga një ndërhyrje akrobatike e Dibu Martinez, vetëm një centimetër larg vijës së portës) apo përmes iniciativave individuale të lojtarëve me më shumë talent.
Kushtet lehtësuese të mëdha (formacion i copëtuar nga dëmtimet dhe mungesa e një sulmuesi të vërtetë) këtë herë nuk i mjaftuan trajnerit italo-brazilian, i cili pas ndeshjes shprehu kënaqësi për ekuilibrin e skuadrës së tij. Por kjo nuk mjaftoi për të shmangur kritikat dhe për të rikthyer nostalgjikët e Massimiliano Allegrit. Kritikët u shfaqën masivisht, si në rrjetet sociale (ku hashtag-u #Allegri ishte ndër më të përdorurit gjatë mbrëmjes) ashtu edhe mes opinionistëve dhe ish-futbollistëve që tani shërbejnë si komentatorë televizivë.
Kritika të ashpra nga Di Canio
Ndër më të ashpërit ndaj italo-brazilianit Thiago Motta, pas barazimit në fushën e Aston Villa (që, tre ndeshje nga fundi, la praktikisht të pandryshuar renditjen e Juventus në grupin unik të Champions League – duke mbetur në vendin e 19 me tetë pikë, dy pikë larg zonës së play-off-eve dhe katër pikë mbi vendin e 25-të), ishte ish-kapiteni i Lazios, Paolo Di Canio. Në një intervistë për “Sky”, ai kritikoi hapur trajnerin bardhezi, duke thënë se nuk ka sjellë asnjë evolucion në stilin e lojës së Juventus krahasuar me periudhën e Allegrit.
“Juve e teknikut Motta është po aq konservatore sa ajo e vitit të kaluar. Mendonim se do të shihnim diçka ndryshe, edhe pse disa, në mënyrë filozofike, na thonë se bën presion dhjetë-dymbëdhjetë metra më përpara. Por mentalitetin për të punuar pa top, Juve e kishte edhe me Allegrin. Kjo është një skuadër që mbron shumë, krijon pak dhe pëson shumë pak gola. Pastaj mund të flasim për rafinime teknike dhe të themi se luajnë pesë-dhjetë metra më përpara, por në thelb ndryshon shumë pak”, tha 56-vjeçari nga Roma pas ndeshjes Aston Villa-Juventus.
Lexo më tej: “Juventus ka bërë një gabim të rëndë”: Sabatini e nxjerr të paaftë drejtorin Giuntoli
Ky koment i Paolo Di Canio ka ndarë ndjeshëm tifozët e Juventus: disa pajtohen dhe ndiejnë nostalgji për Massimiliano Allegri, ndërsa të tjerët, duke marrë parasysh mungesat e shumta me të cilat po përballet Thiago Motta, shohin gjithsesi një evolucion të stilit të lojës krahasuar me atë të livornezit deri para pak muajsh.
The post Di Canio fundos teknikun Thiago Motta: “Juventus luan njësoj si me Allegrin” appeared first on Lapsi.al.