Paraditen e sotme, policia e Fierit ka arrestuar tre persona, të cilët transportonin në bashkëpunim kundrejt pagesës emigrantë të paligjshëm, me qëllim që të kalonin kufirin.
Njoftimi i plotë i policisë:
“Si rezultat i punës së vazhdueshme, strukturat e DVP Fier godasin një rast të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se 3 shtetas transportonin në bashkëpunim, kundrejt pagesave, emigrantë, më qëllim që ata të kalonin ilegalisht kufirin, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, organizuan operacionin policor të koduar “Tranzit”.
Si rezultat i këtij operacioni u siguruan prova nga të cilat u identifikuan shtetasit me iniciale L. M., 32 vjeç, banues në Patos, A. T., 31 vjeç, banues në Fier dhe K. M., 56 vjeç, banues në Tiranë, si autorë të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” e kryer në bashkëpunim.
Të 3 shtetasit e mësipërm u shpallën në kërkim, pasi braktisën automjetet dhe u larguan duke përfituar nga kushtet e errësirës.
Sekuestrohen 2 automjetet tipe “Audi Q7” dhe “Volksëagen”, me të cilat transportoheshin 11 emigrantë të paligjshëm me origjinë nga India dhe Nepali.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
The post Fier/ Transportonin emigrantë kundrejt pagesës, arrestohen 3 persona appeared first on Albeu.com.