Për rreth një javë nga dita e votimit, Fredi Beleri, kandidati me kombësi greke i propozuar nga opozita për bashkinë e Himarës u mbajt nën vëzhgimin e agjentëve të Operacionales së Policisë së Shtetit. Dosja që vendosi transferimin e çështjes së tij nga Prokuroria e Vlorës në SPAK dhe që Lapsi.al e ka siguruar të plotë nxjerr shumë detaje mbi provat kundër Belerit, por edhe mbi nisjen e një hetimi që ngjalli debate të forta.
A erdhi arrestimi pas një vendimi politik? A bleu vota Fredi Beleri? A u ndëshkua në mënyrë selektive kandidati grek i opozitës?
Pamjet e arrestimit te Fredi Belerit ne Himare
Si nisi hetimi
Kuptohet nga dosja e hetimit se për çdo hap fals që do të bënte Beleri javën e fundit të fushatës, ai do të arrestohej menjëherë nga policia. Kandidati i opozitës në Himarë ruhej nga agjentët e policisë, nëpërmjet përgjimit ambjental me audio dhe video dhe përveç kësaj policia futi edhe një person të infiltruar për të bërë pazaret me votën.
A erdhi nga lart urdhri për ta ndjekur Belerin këmba-këmbës? Kjo është e vështirë të provohet, por para se agjentët e policisë të përgatisnin të infiltruarin, që do të çonte në burg Belerin, kryeministri Edi Rama e sulmoi ashpër duke e quajtur “mi gjirizesh”, “maskara”, “idiot”, apo “analfabet” “dru”, siç nuk kishte bërë me asnjë kandidat tjetër.
Në dosje nuk shpjegohen qartë indiciet e nisjes së hetimit. Si lindën dyshimet e para? Në pikën 4 shkruhet: “Nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është referuar se dyshohet për aktivitet kriminal të disa shtetasve në fushën e shitblerjes së votës për Zgjedhjet Vendore të 14 Majit 2023”.
Ndërkohë në pikën 6, sërish kur raportohet për nisjen e hetimeve shkruhet “Sipas informacioneve të marra në përputhje me Ligjin Nr.108/2014 “Për policinë e shtetit” dyshohet se disa shtetas në territorin e Bashkisë Himarë merren me aktivitet kriminal në fushën e krimeve zgjedhore dhe më konkretisht me shitblerjen e votës”.
I infiltruari
Pas komunikimit me avokatin e Fredi Belerit, Lapsi.al raportoi se policia e shtetit pati një person të infiltruar në çështjen kundër Fredi Belerit. Ishte njeriu që e furnizonte me peshk restorantin e Belerit, i quajtur Arsen Rama.
Ai pranoi në polici se kandidati grek i opozitës i kishte premtuar para për votat e 13 personave. Nga 50 euro secili. Si shpërblim, i infiltruari do të merrte 300 euro.
“Në datë 10.05.2023, shtetasi A.R, ka komunikuar ne telefon me shtetasin Dhionisios Alfred Beleri dhe i ka thënë se listën ia kishte dorëzuar sekretares së tij. Alfredi i ka thënë se do ta verifikontë një gjë të tillë dhe do të komunikonin sërish bashkë për tu takuar. Në vijim të kësaj bisede, sërish në datë 10.05.2023, ata janë takuar më njëri tjetrin në lagjen Potam, jashtë ambienteve të lokalit “Gelateria”, ku sipas bisedave ambientale të përgjuara, kanë biseduar në mënyrë të përmbledhur lidhur me listën prej 13 personash të dorëzuar nga shtetasi A.R dhe shumën monetare që duhej të përfitonte secili prej tyre në këmbim të votës pro kandidatit Dhinisios Alfred Beleri.
Në këtë bisedë, ky shtetas i ka premtuar shtetasit A.R se do të paguante shumën prej 50 euro për person dhe 300 euro për shtetasin A.R, nëse shtetasi Dhionisios Alfred Beleri bindej sipas verifikimeve që ai do të kryente, se vota ishte hedhur pro tij. Në këtë bisedë, shtetasi Dhionisios Alfred Beleri, i premton shtetasit A.R se shumën monetare do t’ja jepte po atë natë në darkë ose të nesërmen në mëngjes”.
Shuma e parave e sekuestruar nga policia në rastin e Fredi Belerit
Por Beleri është treguar i kujdesshëm. Nuk rezulton të ketë prekur paratë, që sot janë pjesë e provave në proces. I infiltruari rezulton se ka disa telefonata me Belerin dhe një bisedë para lokalit të tij. Prokuroria thotë se këtu flitet për shumën e parave që duhej paguar për këta persona.
Beleri, sipas prokurorisë e ka drejtuar të infiltruarin tek një person i tretë, pjesë e stafit të tij në fushatë, që quhet Pandeli Kokaveshi.
Është ky i fundit që ia jep Belerit paratë në tualetin e një lokali në Potam të Himarës.
“Më datë 10.05.2023 shtetasi A.R ka komunikuar në telefon me shtetasin Alfred Beleri dhe i ka thënë se listën ia kishte dorëzuar sekretares së tij. Alfredi i ka thënë se do e verifikonte një gjë të tillë dhe do të komunikonin sërish bashkë për t’u takuar. Në vijim të kësaj bisede, sërish në datë 10.05.2023 ata janë takuar në lagjen Potam, jashtë ambienteve të lokalit “Galateria”, ku sipas bisedave të përgjuara, kanë biseduar në mënyrë të përmbledhur lidhur me listën e personave të dorëzuar nga shtetasi A.R dhe shumën monetare që duhej të përfitonte secili prej tyre në këmbim të votës, pro kandidatit Bleri. Në përfundim të bisedës Beleri i ka premtuar shtetasit A.R se do të paguante shumë prej 50 eurosh për çdo person dhe shumë 300 euro për shtetasin A.R, nëse shtetasi do të verifikonte se vota është hedhur pro tij.
Po më datë 11/05.2023 është zhvilluar një takim midis shetasit A.R dhe Belerit jashtë ambienteve të lokalit “Gelateria”, ku kanë biseduar për personat që janë në listën dhe mënyrën se si do jepen shumat e parave.
Në vijim të kësaj bisede gjatë mbasdites së datës 11/05/2023, rreth orës 21:47, A.R ka komunikuar me Belerin në lidhje me një takim me shtetasin me emrin Pandeliu dhe i ka thënë që do t’i thotë ta marrë në telefon Pandeliu. Më pas shtetasi A.R është takuar me tek lokali Galateria. Të dy janë ulur brenda lokalit dhe Pandeliu i ka marrë telefonin shtetasit A.R dhe i ka lënë në banak së bashku me telefonin e tij. Më ata kanë biseduar në lidhje me zgjedhjet dhe listën që shtetasi A.R i kishte dorëzuar Belerit. Më pas Pandeli Kokaveshi i ka kërkuar të shkonte me të dhe së bashku kanë shkuar drejt tualetit dhe i ka dhënë një shumë monetare, prej 40.000 lekë. Shtetasi A.R e ka pyetur si ti ndante, nga 5.000 lekë secili, dhe ai ka pohuar që po”– thuhet në dosjen hetimore.
Pas arrestimit, policia mori në pyetje edhe personat që ishin në listën e votimit, të gjithë nga Piluri i Himarës. Një pjesë e tyre pohuan se i ishte premtuar para për të votuar Belerin, por nuk i kishin marrë ende ato.
Kalimi i dosjes në SPAK
Fenomeni i blerjes së votave është i shpërndarë kudo në vend, por forcat Operacionale të Policisë së Shtetit vunë në shënjestër pikërisht kandidatin që shqetësonte kryeministrin Edi Rama.
Përzgjedhja që bëri policia për të futur në kurth kandidatin e opozitës që paralajmëronte fitoren në Himarë, ngre dyshime të forta se operacioni ishte i dirigjuar politikisht.
Aq më të forta bëhen dyshimet, kur disa ditë pas arrestimit, prokuroria që kishte certifikuar përgjimin dhe arrestimin e Fredi Belerit pranon se çështja nuk ishte kompetencë e saj, por duhej transferuar në SPAK.
Pra, atë që kishte ligjëruar në datën 8 Maj për akuzën e “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”, e zhbën në datën 13 Maj, duke u tërhequr nga çështja, për shkak të moskompetencës.
Ambasadorja greke në një nga takimet për lirimin e Belerit
A do përsëriten zgjedhjet në Himarë?
Politika greke po bën çmos për lirimin e Fredi Belerit nga burgu duke e konsideruar arrestimin e padrejtë. Ankesat e Ministrisë së Jashtme të Greqisë kanë bërë xhiron e kancelarive perëndimore, ndërsa nuk kanë munguar edhe kërcënimet për bllokimin e procesit të integrimit të vendit tonë në BE. Ambasadorja greke e takoi në qeli fituesin e bashkisë së Himarës.
Kur është pyetur për rastin e Belerit, kryeministri Rama bëri një paralelizim me arrestimin e kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla që u arrestua para fushatës së 14 Majit. Kryeministri tha se nuk kishte pasur asnjë dijeni për hetimin e Allës atëherë dhe nuk kishte dijeni për arrestimin e Fredi Belerit tani.
Për të mos e ngarkuar më shumë politikisht çështjen, Rama tha se do të fliste pas zgjedhjeve në Greqi, duke lënë të kuptohet se qëndrimi i Fredi Belerit në detyrë apo përsëritja e zgjedhjeve në Himarë do të varej nga vendimi i gjykatës.
“Nëse drejtësia ka prova bindëse, atëherë sigurisht që rezultati vihet në pikëpyetje” tha Rama.
Ky nuk është arrestimi i parë për Belerin. Ai ka qenë i dënuar më parë për bashkëpunim në armëmbajtje pa leje në Greqi, për të cilën ka qëndruar një vit në paraburgim. Po ashtu, në Shqipëri ka qenë i dënuar për “thirrje për urrejtje nacionale” dhe “poshtërim të republikës dhe simboleve të saj”, vepër penale për të cilën nuk ka bërë burg, pasi është parashkruar. Më parë, Beleri është akuzuar për masakrën e Peshkëpisë, por gjykata e shpalli të pafajshëm./Lapsi.al
The post Fushata e Himarës/ Si ra Fredi Beleri në grackën e Policisë së Shtetit appeared first on Lapsi.al.