nga Besnik Velija, Express
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës në një përgjigje për Gazetën Express kanë konfirmuar se përmes rrugëve zyrtare kanë pranuar kërkesën për të lejuar Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe për të vizituar Kosovën.
MPJ për Express kanë treguar se pas shqyrtimit të kërkesës, më pas kanë vendosur që të lejojnë Porfirijen që të nis vizitën e tij në Kosovë më 3 janar.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njofton se përmes kanaleve zyrtare, ka pranuar kërkesën për lejimin e vizitës të Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirje në Republikën e Kosovës. Pas shqyrtimit të kërkesës, MPJD e ka aprovuar vizitën e Patriarkut Porfirije”, kanë thënë për Express nga Zyra për Media e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Megjithatë njëjtë s’ka vepruar shteti serb lidhur me kërkesën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për vizitë në Luginën e Preshevës.
Vetë kreu i MPB-së ka njoftuar të enjten më 4 janar se autoritetet serbe kanë refuzuar vizitën e tij. Sveçla ka treguar se mbrëmjen e 3 janarit është njoftuar nga zyra ndërlidhëse e Kosovës në Beograd se kërkesa për vizitë është refuzuar pa asnjë arsyetim.
“Me datë 29 dhjetor kam pranuar ftesë nga z. Nevzad Lutfiu, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar për vizitë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Sipas agjendës, ishin planifikuar takime në selitë e Këshillit në tri komuna si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi. Me kënaqësi kam pranuar ftesën dhe kam filluar përgatitjet. Në respektim të marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave të deritanishme, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kemi përcjellur agjendën dhe informatat e nevojshme të delegacionit në zyren ndërlidhëse të Serbisë për leje të hyrjes në Serbi dhe realizim të vizitës. Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë pa asnjë spjegim”, ka shkruar Sveçla.
Ministri i Brendshëm ka thënë se një vendim i tillë tregon për qasjen destruktive të Serbisë dhe shtypjen e vazhdueshme ndaj shqiptarëve që jetojnë në Luginë.
Sveçla ndërkohë ka paralajmëruar se Kosova do të veprojë mbi parimet e reciprocitetit në rastet kur do të ketë kërkesa për vizita të zyrtarëve serbë në Kosovë.
“Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona”, ka shkruar ai.
Pas anulimit të vizitës në Serbi, Sveçla bashkë me ministrin Elbert Krasniqi kanë realizuar një vizitë në Liqenin e Ujmanit dhe zona afër.
Ndryshe Kosova dhe Serbia në vitin 2014 kanë arritur Marrëveshje për vizitat zyrtare.
Marrëveshjet për vizita zyrtare
Palët përkatëse do të njoftojnë palën tjetër rreth vizitave të zyrtarëve të tyre. Njoftimet do të bëhen sipas mënyrës në vijim:
– Institucioni që bën kërkesën do të dërgojë njoftimin drejtpërdrejtë tek ZN-ja e palës se ku do të zhvillohet vizita, duke dërguar një kopje (cc) për ZN-në [Zyra Ndërlidhëse] e palës kërkuese për vizitë. ZN-ja e cila ka pranuar njoftimin do ta konfirmojë menjëherë pranimin.
– Nëse në afatin e caktuar (në varësi të kategorisë, si më poshtë) nuk ka përgjigje atëherë vizita konsiderohet e miratuar.
– Nëse janë ngritur kundërshtime në lidhje me afatin e dhënë ato duhet t’i komunikohen direkt ZN-së së palës që ka dërguar njoftimin. BE-së (Delegacioni i BE-së në Beograd ashtu dhe zyra e PSBE-së në Prishtinë) do të përfshihen (cc) në komunikim dhe do të krijohen lehtësira nëse ka nevojë.
Njoftimi është i nevojshëm për kategoritë e mëposhtme të zyrtarëve:
a.) Grupi i parë përbëhet nga presidenti, kryeministri, zëvendëskryeministrat,kryetari i kuvendit dhe ministrat e punëve të brendshme, punëve të jashtme dhe të mbrojtjes. Për këtë kategori, njoftimi duhet të bëhet të paktën 72 orë përpara dhe çdo vërejtje duhet të ngrihet brenda 48 orëve të para.
b.) Grupi i dytë përbëhet nga të gjitha ministrat tjerë, nënkryetarët e kuvendit, drejtorët e zyrave qeveritare dhe agjencive të ndërlidhura me siguri, kryetarët e gjykatave kushtetuese dhe supreme, prokurori i shtetit si dhe të gjithë personat tjerë, të tillë si udhëheqësit fetarë që janë nën regjimin e mbrojtjes së afërt. Për këtë kategori njoftimi duhet të bëhet të paktën 48 orë përpara dhe çdo vërejtje duhet të ngrihet brenda 24 orëve të para.
Një zyrtar do të emërohet nga secila palë që do të ketë qasje të rregullt dhe të thjeshtuar në palën tjetër dhe për të cilët palët do të japin vetëm informacione logjistike, në mënyrë që të lehtësojë përgatitjen e vizitave. Vizitat e këtyre zyrtarëve do të zhvillohen në një mënyrë që nxit procesin e normalizimit të marrëdhënieve ose kontribuon në punën e përgjithshme në kontekstin e Dialogut të Lehtësuar të BE-së.
Afatet rrjedhin pavarësisht ditëve të punës dhe ditëve që nuk punohet, por njoftimet duhet të dërgohen gjatë orarit të punës (E hëne -E premte deri në ora 5 pasdite).
Në rast emergjence që kërkon udhëtim të menjëhershëm, të dy ZN-të mund të bien dakord në mënyrë ad hoc
Të gjitha ndryshimet e mundshme në programet e vizitave duhet të bëhen të paktën 24 orë para vizitës. Në rastin e vonesave të vogla gjatë vizitës, do të tregohet një fleksibilitet nga pala pritëse.
Zbatimi i pikave të lartpërmendura do të vlerësohet dhe nëse është e nevojshme do të rishikohet pas 3 muajsh me kërkesën e njërës apo dy palëve.
Këto marrëveshje do të zbatohen që nga 1 dhjetor i vitit 2014.
The post Kosova i dha leje Patriarkut serb për vizitë, një ditë më pas Serbia bën të kundërtën me Sveçlën appeared first on Albeu.com.