Ratifikimi në Kuvend i marrëveshjes mes qeverisë së Shqipërisë dhe Italisë për një qendër procesimi emigrantësh në Gjadër duhet të pezullohet automatikisht deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, pas pranimit prej Gjykatës të padisë nga deputetët e opozitës.
Gjykata Kushtetuese njoftoi të mërkurën në një konferencë shtypi urgjente se Mbledhja e Gjyqtarëve pranoi të kalojë për gjykim padinë e 30 deputetëve të opozitës për kontrollin e kushtetutshmërisë së “Protokollit të nënshkruar midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”.
Në një konferencë për mediat, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj bëri me dije se ky vendim sjell automatikisht pezullimin e ratifikimit të marrëveshjes, e cila kaloi me përshpejtim komisionet parlamentare vetëm tre ditë më parë dhe do të votohej në parlament të enjten, më 14 dhjetor.
“Bazuar në nenin 52, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese,” thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
E pyetur nga gazetarët nëse vendimi do të zbatohej, Zaçaj tha se nuk do interpretonte situata hipotetike. Ajo tha se Gjykata kishte marrë masat që veç njoftimit publik, Kuvendit t’i jepej në shkrim dorazi vendimi i Mbledhjes së Gjyqtarëve në orën 8 të mëngjesit të enjten.
Marrëveshja mes Ramës dhe Melonit, që lejon ngritjen e një kampi refugjatësh në Gjadër është kritikuar nga organizatat për të drejtat e njeriut. Marrëveshja që u nënshkrua pa transparencë po ashtu pretendohet të jetë marrë në shkelje të ligjit.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka dhënë një deklaratë për gazetën italiane, Corriere della Sera në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimit të marrëveshjes me Italinë për transferimin e emigrantëve nga Afrika në Shqipëri.
“Zakonisht nuk flas me shtypin, por e kuptoj që kjo çështje është e rëndësishme dhe delikate jo vetëm për ne, por edhe për Italinë dhe ndoshta është e drejtë të sqarohen pak gjërat”, tha Zaçaj, gjatë një bisede telefonike me Corriere.
Kryetare, të sqarojmë ndërkohë pyetjen: a i thotë Gjykata Kushtetuese “jo” marrëveshjes Romë-Tiranë?
“Jo. Procesi që çon në ratifikimin e marrëveshjes është pezulluar pasi mbi një e katërta e deputetëve shqiptarë na kanë kërkuar të kontrollojmë kushtetutshmërinë ose jo të protokollit të nënshkruar mes dy vendeve. Ne kemi vlerësuar se ankesa i plotëson kriteret e pranueshmërisë dhe sipas rregullores sonë kjo sjell automatikisht ndërprerjen e procedurave parlamentare për ratifikimin. Por dua të sqaroj: ne nuk kemi hyrë në brendësi të protokollit të nënshkruar”.
Çfarë kontestojnë tridhjetë deputetët?
“Në thelb dy aspekte. E para: mosrespektimi i pretenduar i procedurës së negociatave dhe nënshkrimit. Sipas tyre, kjo lloj marrëveshje ka nevojë për autorizimin e presidentit pasi prek çështje territoriale. Shkurt, për ta nuk mund të jetë një marrëveshje mes qeverive, por mes shteteve”.
Dhe aspekti i dytë?
Sipas tyre, protokolli mund të çojë në shkeljen e të drejtave të njeriut.
Pse nxitet pezullimi automatik i procesit parlamentar?
“Sepse pas ratifikimit, Gjykata – sipas rregullave tona – nuk mund të kontrollojë më legjitimitetin ose jo të marrëveshjes. Dhe ankimi ngre dyshime për kushtetutshmërinë e protokollit”.
A do të hyjë Gjykata në seancën e 18 janarit në themel të marrëveshjes Rama-Meloni?
“Na kërkohet një gjë e tillë, duhet të shqyrtojmë në detaje protokollin për ato dy pika të ngritura nga një e katërta e Kuvendit të Shqipërisë. Por e përsëris përsëri: ne nuk kemi hyrë vërtet në këtë çështje”.
Ka nga ata që i frikësohen lëvizjeve të opozitës për t’ju detyruar të shtyni vendimin.
“Dy palët do të duhet të dërgojnë dokumentacionin brenda datës 4 janar 2024. Dhe nga dita e ankimimit (6 dhjetor 2023) kemi maksimum tre muaj për të marrë vendim. Në rastin konkret do të thotë se deri më 6 mars 2024, Gjykata duhet të thotë nëse marrëveshja është legjitime apo jo”.
The post Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese flet për mediat italiane: Dy pikat “kritike” pse e pezulluam marrëveshjen për emigrantët me Italinë appeared first on Shekulli.