nga Gazeta Express
Ish-kryeministri britanik, David Cameron, i cili tashmë po drejton diplomacinë e Mbretërisë së Bashkuar vitin 2024 e ka nisur me një vizitë zyrtare në Kosovës. Kjo pas rritjes së vazhdueshme të tensioneve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Mbrëmjen e 3 janarit, David Cameron, është pritur nga kryeministri Albin Kurti dhe vartësit e tij në një darkë zyrtare. Cameron teksa ka përshëndetur me radhë disa prej ministrave, është interesuar për çështje të ndryshme me secilin prej tyre.
Me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, kanë folur për shkollimin e kësaj të fundit. Gërvalla dëgjohet teksa i tregon për studimet e saj gjatë viteve të 90-ta, ndërkohë që Cameron e pyet nëse ka studiuar në Berlin apo në ndonjë vend tjetër.
“Jo, kam studiuar në Hamburg dhe më pas kam shkuar në Bon, ish-kryeqytetin”, dëgjohet teksa i përgjigjet Gërvalla.
Cameron më pas ka shkëmbyer disa fjalë edhe me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, me të cilin kanë biseduar për minoritetet që ndodhen në Kosovë.
Rashiq ia ka numëruar komunitetet duke filluar nga serbët si minoriteti më i madh në Kosovë, më pas ka përmendur turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë dhe goranët.
Ndërkohë ministren e Zhvillimit Ekonomik e ka pyetur për rritjen ekonomike. Rizvanolli i ka thënë se gjatë vitit 2023 ka qenë 4 %, shifër kjo që e ka befasuar edhe kryediplomatin britanik, shkruan Gazeta Express.
“Kjo është ajo çka do të ëndërronim të gjithë” i ka thënë Cameron Rizvanollit.
Pas këtyre bisedave me ministrat, në dhomën është futur Kurit i cili e ka përshëndetur kryediplomatin britanik, i cili edhe i ka treguar Kurtit për bisedën me Rizvanollin dhe shifrën prej 4 % të rritjes ekonomike.
Cameron përveç bisedave paska më relaksuese me ministrat, ka dhënë dhe mesazhe të forta sa i përket sovranitetit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Kryediplomati britanik ka shprehur mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar për një Kosovë të pavarur dhe të sigurtë, duke thënë se shteti i tij do të bëjë përpjekje që Kosova të ketë përparim edhe sa i përket njohjes në arenën ndërkombëtare si shtet i pavarur dhe sovran, shkruan Express.
Në një intervistë për Reuters, Cameron ka folur edhe për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, duke thënë se ajo që ka ndodhur vitin e kaluar është shqetësuese dhe ka thënë se duhet kujdesur që një gjë e tillë të mos përsëritet, dhe që nëse përsëritet të luftohet.
Këto fjalë Cameron i ka thënë teksa ka qëndruar për një vizitë tek forcat britanike të cilat shërbejnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it. /GazetaExpresss/
The post Ku ke studiuar, sa është rritja ekonomike, sa pakica jetojnë në Kosovë, pyetjet që Cameron ua bëri ministrave të Kurtit appeared first on Albeu.com.