Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Rrogozhinës Shkëlqim Hoxha ka folur në lidhje me përmbysjen e rezultatit në kutinë e fundit ku votuan të burgosurit e IEVP dhe rivali i tij doli me 23 vota më shumë.
Hoxha për ‘News24’ tha se edhe pse ishte dhjetëra vota në favor, kutia e fundit e cila doli në fund përmbysi rezultati edhe pse ishte totalisht anonime dhe pa transparencë.
Ndër të tjera ai theksoi se ka dyshime nëse realisht të burgosurit kanë botuar dhe se do kërkojë hetim për kutinë e fundit dhe votat e pavlefshme.
“Është një sensibilizim për situatën dhe atë çfarë ka ndodhur gjatë procesit të numërimit. Pasi përfunduan të gjitha kutitë në të gjithë bashkinë Rrogozhinë dhe kur unë kryesoja me 57 vota para, doli asi nën mëngë që ishte kutia e burgut që përmbysi gjithçka dhe e nxori rivalin me 23 vota para.
Por kjo kuti është një kuti komplet anonime, me zero transparencë, ku nuk dihet se çfarë ka ndodhur, nuk dihet se kush ka votuar, kujt i lejohej, kujt nuk i lejohej, kush ishte komisioner. Ka zero transparencë sepse ne nuk kemi pas asnjë akses, asnjë lloj mundësie për të qenë. Ne nuk e dimë a kanë votuar ata që ishin në listë, nuk kanë votuar. A iu takon të votonin të gjithë sepse në zgjedhjet e kaluara ishin 56 vetë që votuan, tani 110. Ka konflikt interesi aq më tepër që babai i kandidatit është shef regjimi në policinë e burgut. Kunati që ishte komisioner është infermier në burg, pra aty ka një konflikt të pastër interesi. Aq më tepër kur kandidati tjetër ka mundësinë që të shkojë në zyrën e drejtorit të burgut, të thërrasë të burgosurit në zyrë dhe të bëjë fushatë dhe për këtë ka dhe një hetim nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, pra ata kanë pasur akses, kurse ne zero.
Kam tentuar të lidhem me drejtorin e burgut, asnjë përgjigje. Në qoftë se me një kuti të manipuluar duhet të vendosë kush ta drejtojë bashkinë ok jam dakord, por ndoshta do ishte më mirë të shkonte drejtor burgu dhe të na e linte bashkinë ne, verdikti i popullit të shkonte në vend. Është totalisht e manipuluar kutia e fundit”, tha ai.
The post “Kutia e burgut doli si asi nën mëngë”/ Shkëlqim Hoxha nuk njeh rezultatin në Rrogozhinë: Do kërkoj rivlerësim të votave, mund të jenë të manipuluara appeared first on Gazeta Standard Online.