Champions League po rrezikon të kthehet në një zhgënjim të madh për PSG-në, që aktualisht është jashtë fazës së 1/8-ave të finales. Vendi i 26-të në renditjen e fazës së kampionatit e përjashton madje edhe nga play-off-et, një situatë paradoksale që ka ndezur polemika të shumta. Në qendër të kritikave, si gjithmonë, ndodhet Luis Enrique dhe zgjedhjet e tij, të cilat shpesh hasin kundërshtime nga tifozët dhe ekspertët. Në ndeshjen kundër Bayern Munich, ai vendosi të lërë jashtë titullarin Donnarumma dhe t’i besojë portierit të ri rus, Safonov, i cili nuk pati një paraqitje të mirë.
Gabimi i portierit dhe humbja ndaj Bayern
Portieri rus bëri një gabim të rëndë që i dha mundësinë gjermanëve të shënonin golin e vetëm të ndeshjes dhe të fitonin. Dalja e tij e papranueshme ishte fatale, madje edhe për vetë trajnerin, i cili humbi plotësisht bastin e tij. Pas ndeshjes, Luis Enrique mori të gjitha përgjegjësitë, duke mbrojtur lojtarët e tij, por kritikat vazhdojnë të vijnë. Justifikimet nuk mjaftojnë për të ndaluar krizën evropiane të PSG-së, që në Champions League ka fituar vetëm një ndeshje deri tani, atë të parë kundër Gironës.
Luis Enrique merr përgjegjësinë
Edhe pse Donnarumma shpesh është kritikuar nga tifozët francezë, në ndeshjen kundër Bayern pati nga ata që e ndjenë mungesën e tij. Vendimi për të aktivizuar Safonov në vend të tij rezultoi plotësisht i gabuar, pasi gabimi i portierit rus i dhuroi Bayernit golin e vetëm të ndeshjes, që përfundoi 1-0. Luis Enrique kishte paralajmëruar ndryshimin në portë, duke deklaruar se kishte nevojë për një lojtar që mund të përballonte presionin e kundërshtarëve, një cilësi që, sipas tij, Donnarumma nuk e zotëron.
Lexo më tej: Video/ City e pëson nga 3-0 në 3-3 për 15′: katër shqiptarët e Spartës pësojnë 6 gola
Megjithatë, as Safonov nuk ia doli dhe trajneri u vu sërish në qendër të kritikave. Në intervistën për Canal+, spanjolli, dukshëm i tensionuar, nuk kërkoi justifikime: “Gjithmonë ka një dëshirë për të gjetur fajtorin. Nëse duhet një fajtor, jam unë. Jam unë përgjegjësi. Ja, e gjetët fajtorin.” Por marrja e përgjegjësisë nuk mjafton për të shpëtuar PSG-në në Champions League dhe për t’i dhënë të paktën një vend në play-off për 1/8-at e finales: në pesë ndeshje ka fituar një, barazuar një dhe humbur tri – një ecuri mjaft zhgënjyese.
Pse u la jashtë Donnarumma?
Rasti më i bujshëm i ditës ishte padyshim lënia jashtë e ish-portierit të Milan dhe aktivizimi i Safonov që nga minuta e parë. Edhe për këtë, Luis Enrique dha shpjegime, duke tentuar të japë versionin e tij: “Qëllimi im është që të gjithë lojtarët e mi të jenë të gatshëm, në varësi të ndeshjes që luajmë. E dinim që Bayern do të ushtronte këtë lloj presioni dhe mendova se Safonov do të ishte lojtari më i përshtatshëm për të përballuar këtë problem. Është shumë e vështirë të përjetosh humbjet, por ato më japin informacionin e nevojshëm për të kuptuar ku po shkojmë.”
The post Luajti me portierin e dytë, i shkaktoi humbjen PSG, Luis Enrique: “Jam unë fajtori” appeared first on Lapsi.al.