Prokuroria Speciale e Kosovës në orët e pasditës së 13 Dhjetorit ka njoftuar për ngritjen e një aktakuze e cila prek disa emra të korporatave që kanë në pronësi edhe media në Kosovë.
Përmes një komunikate për mediat, Prokuroria Speciale njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj 5 personave fizikë dhe 3 personave juridikë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “falsifikimi i dokumentave” dhe “pastrim i parave”.
“Pas zhvillimit të hetimeve disa vjeçare, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër personave fizikë: E.M, K.A, E.LL, K.LL dhe I.L dhe personave juridikë: ‘M…’, ‘AHK’ dhe ‘QKK’”– thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria nuk ka përmendur emrat e personave ndaj të cilëve është ngritur aktakuza dhe as emrat e bizneseve, ndërsa në publik janë përmendur emrat e pronarëve të RTV Dukagjini, Ekrem Lluka dhe pronarit të televizionit T7 dhe themeluesit të Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu, si dhe njërit prej zyrtarëve të Spitalit Amerikan në Kosovë, Igli Larashi.
Pak minuta pas pranimit të komunikatës së Prokurorisë, “Kallxo” ka kërkuar nga Gjykata e Prishtinës që sipas ligjit të ofrojë qasje në aktakuzën e redaktuar të këtij rasti, por deri në publikimin e artikullit Gjykata nuk ka dhënë qasje në aktakuzën e redaktuar. As Prokuroria nuk është përgjigjur për të dhënë detaje për arsyet e aktakuzës.
Në mesin e njerëzve që kanë nisur diskutimin për aktakuzën është Dejona Mihali nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se “Ende asnjë fjalë për aktakuzën “pastrim parash” Allajbeu – Lluka. Asnjë rrjedhje. Shumë është komplikuar puna nga një anë Spitali Amerikan, reklamat, nga ana tjetër T7, Gazeta express, Grupi Dukagjini. Kush mund ta thyejë këtë heshtje sublime?””.
Të kontaktuar nga “Kallxo”, nga korporata Dukagjini kanë thënë se ende nuk e kanë pranuar aktakuzën dhe janë të bindur që kjo çështje është vetëm një çështje civile dhe nuk ka vepër penale.
“Nuk kemi marrë asnjë dokument nga Prokuroria por në këtë rast nuk ka çështje mashtrimi por është një çështje civile në mes palëve” – ka thënë njëri nga zyrtarët ligjorë të korporatës, ndërsa avokati Dastid Pallaska, i cili përfaqëson kompaninë në këtë rast, nuk është përgjigjur.
“Kallxo” ka kontaktuar edhe me Spitalin Amerikan. Nga Spitali amerikan kanë thënë se informacionin mbi ngritjen e aktakuzës e kanë marrë nga portali i Prokurorise dhe nga mediat dhe se të hënën avokatët do të kërkojnë të njihen me aktakuzën e ngritur.
The post Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Klod Allajbeun dhe Spitalin Amerikan për pastrim parash dhe falsifikim appeared first on Gazeta Standard Online.