Në një konferencë për shtyp të mbajtur ditën e sotme, Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha tha se, se Lefter Koka padiskutim është një hajdut i vogël në krahasim me Erion Veliajn, Edi Ramën, Engjëll Agaçin dhe rrethin e tyre ku ata bëjnë pjesë.
Berisha tha se, Veliaj ka bërë presion vetë dhe me Velicën për dhënien e bonusit prej 8 pikësh për kompaninë e tij. Berisha shtoi se, Erion Veliaj është personi kryesor përgjegjës, pasi ky i fundit është autori i ndryshimit të strategjisë së mbetjeve në Tiranë nga metoda pa djegie në metodën me djegie.
Kryetari i PD, Sali Berisha ka deklaruar sot se çdo masë e ndërmarrë ndaj tij nga Rama dhe regjimi i tij nuk do ta ndalë betejën e popullit opozitar deri në fitore. Berisha tha se masat represive ndaj tij janë frymëzim.
Berisha publikoi para mediave korrespondencën që fajëson Veliajn, ku tha se Veliaj po bën gati arratisjen, u bëj thirrje që të mos pranohet kërkesa e tij për azil.
Kryedemokrati u shpreh se, do respektojë çdo vendim të parlamentit, por e gjitha kjo është vepër e Edi Ramës. Berisha tha se, një vendim i Gjykatës Kushtetuese për të do ishte 100 përqind i zbatueshëm.
DEKLARATA E PLOTË
Mbrëmë ishte një natë në të cilën mediat e vendit me përgjegjësi të plotë para publikut shqiptar dhe ndërkombëtar faktuan në mënyrën më të pakundërshtueshme se të amnistusarit e SKAP-it të partisë janë njëkohësisht autorët kryesorë të vjedhjes së shekullit, konkretisht Erion Veliaj, Edi Rama, Engjëll Agaçi, aksionerë të tjerë, Lefter Koka, Alqi Bllako, Mërtiri, Zoto dhe ndonjë tjetër.
Mbrëmë mediat dështuan totalisht një përpjekje kriminale të SKAP-it të partisë për të paraqitur vjedhjen e shekullit si vepër të një grupi të Lefter Kokës dhe zyrtarëve përreth tij.
Duke thënë këtë, theksoj se padiskutim Koka është një ladrino i vogël, një vjedhës i vogël në krahasim me Erion Veliajn, Edi Ramën, Engjëll Agaçin dhe enturazhin e tyre.
1. Erion Veliaj është personi kryesor përgjegjës, pasi është autori i ndryshimit të strategjisë së mbetjeve në Tiranë nga metoda pa djegie në metodën me djegie. Pa këtë ndryshim nuk do mund të flitej për djegës apo djegie të mbeturinave.
2. Erion Veliaj është personi që me firmën e tij, siç faktojnë shkresat që ai si kryetar bashkie i dërgon Shkëlqim Canit, dhe Arben Ahmetaj i del zot studimit të fizibilitetit për djegësin e Tiranës, studim që falsifikon me qëllimin fund e krye leverdishmërinë e këtij djegësi për të cilin IFC dhe Xhajka nuk kishin qenë dakord pikërisht për shkak të çmimeve të larta të papërballueshme.
3. Erion Veliaj duke falsifikuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës ka dhënë garanci me firmën e tij pa mbledhur këshillin për pagesën 92 milionë euro nga kjo bashki për djegësin e Tiranës, ç’ka do të thotë ai është padron i pakundërshtueshëm, por edhe një mashtrues publik por edhe falsifikator i aferës së djegësit të Tiranës.
4. Erion Veliaj duke falsifikuar ka dhënë garanci për Këshillin e Qarkut të Tiranës, domethënë për bashki të tjera të këtij qarku se do paguajnë tarifën e kërkuar nga sipërmarrja.
5. Erion Veliaj ka patur në KVO dy përfaqësues të cilët me guxim kanë deklaruar se Bashkia e Tiranës nuk ka mundësi financiare të paguajë tarifat e djegies së mbetjeve. Të dy ata sot janë në burg, kurse Veliaj që ka mashtruar për mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe të Qarkut të Tiranës është i lirë dhe nuk ka asnjë lloj problemi me drejtësinë.
Erion Veliaj ka bërë presion vetë dhe me Velicën ndaj anëtarëve e KVO për dhënien e bonusit prej 8 pikësh për kompaninë e tij. Erion Veliaj ka firmosur vetë faqe për faqe kontratën e djegësit të Tiranës, djegës i cili pas gjashtë vitesh, nuk ekziston.
Erion Veliaj ka firmosur vetë të gjitha përgjigjet e letrave të Damian Gjiknurit dhe Belinda Ballukut mbi përgjegjësinë e tij direkte për mbikëqyrjen e punimeve në djegësin e Tiranës, që nuk ekziston.
Erion Veliaj është përgjegjës direkt për pushtimin me dhera të mëse 150 mijë m2, pa asnjë lloj shpronësimi nga askush të djegësit të Tiranës. Erion Veliaj ka përdorur një seri mekanizmash për vjedhjen e shekullit, që do jenë objekt i konferencave të mëvonshme.
Por këtu do t’u lexoj vetëm një korrespondecë të tij, sepse u bë përpjekje e madhe për ta paraqitur djegësin si aferë të Lefter Kokës.
Këtu do ju lexoj ju në faqen 31 të vendimit për Arben Ahmetajn, Prokuroria ka adresuar një komunikim shkresor midis Ministrisë së Financave, Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Mjedisit, citoj: Në shkresën me numër 34881/1, datë 6.10.2017, të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është përcjellë ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, një kthim-përgjigje ku thuhet: nga ana tjetër Bashkia e Tiranës ka detyrim buxhetor që derivojnë nga kontrata e koncesionit për ndërtimin e landfillit. Sipas kësaj kontrate, Bashkia e Tiranës duhet t’i paguajë koncesionarit një shumë të barabartë prej 29 eurosh për ton.
Në shkresën numër 292/1, datë 13.10.2017, Ministria e Mjedisit i përcjell informacion Ministrisë së Financave: Nga përmbajtja e kësaj kontrate, nuk është përcaktuar në asnjë dispozitë të saj që Ministria e Mjedisit të ketë marrë përsipër pagesën e ndonjë tarife apo detyrimi financiar ndaj koncesionarit. Por janë njësitë vendore të Qarkut Tiranë që duhet të paguajnë për koncesionarin, pagesën për depozitimin e mbetjeve.
Këtë informacion Arben Ahmetaj ia përcjell Erion Veliajt ku i shkruan: Nga sa më sipër është e nevojshme të sqarohet nga Bashkia Tiranë, përse në informacionin e dërguar rezulton se një pjesë e pagesave për vitet 2018, 2019, 2020 duhet të paguhen nga Ministria e Mjedisit, ndërkohë që në kontratën e koncensionit nuk rezulton sanjë angazhim financiar në emër të kësaj ministrie.
Pra, çdo gjë, fakton se djegësi i Tiranës është djegësi Veliaj, natyrisht nuk ndodhte kurrë pa firmën, bonusin e Edi Ramës.
Natyrisht, nuk mund të ndodhte kurrë pa firmën, bonusin e Edi Ramës.
Pra, është djegësi Rama-Veliaj.
Së fundmi, Erion Veliaj që mbrëmë ka kaluar nga studio në studio me presine të tmerrshme ndaj mediave, sipas disa burimeve po bën gati valixhet t’ia mbathë.
Ndaj dhe unë u bëj thirrje vendeve partnere dhe vendeve të tjera që të refuzojnë çdo kërkesë për azil politik të këtij megahajduti në vjedhjen më të madhe të shqiptarëve apo në vjedhjen e shekullit.
Faleminderit!
PYETJE-PËRGJIGJE ME GAZETARËT
Olta Blaceri, VizionPlus: Sot SPAK i ka është drejtuar parlamentit për të kërkuar autorizim për të ju hequr ju lirinë. E para, si e gjykoni këtë vendim të SPAK, e dyta si do të votoni ju në parlament për çështjen tuaj.
Sali Berisha: Në vitin 2012, Sali Berisha ka dërguar në parlament, abrogimin nga Kushtetuta të çdo lloj mbrojtje të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Ky amendament i qeverisë, është kundërshtuar në mënyrë të prerë nga Edi Rama dhe është pranuar vetëm lejimi i hetimit të deputetëve. Kështu që unë kam deklaruar edhe unë këtu para jush se jam i gatshëm ta votoj vetë këtë ligj edhe sot dhe nuk kam asnjë kundërshtim. Nëse unë nuk kam pranuar urdhrin e gjykatës dhe SKAP-it nuk e kam pranuar sepse ajo është shkruarje e kushtetutës. Kam mbrojtur parlamentin dhe pushtetin e tij dhe absolutisht jo, Sali Berishën. Pra unë kam refuzuar të zbatoj një urdhër antikushtetues nga një gjykatës tërësisht në konflikt interesi. E shkarkuar nga unë në datën 8 shkurt 1996 dhe që e fsheh këtë fakt. Por, përsa i përket konsistencës time ndaj propozimit 2012 ajo qëndron plotësisht. Unë jam që deputetët të mos kenë asnjë lloj dallimi nga qytetarët e thjeshtë në Kushtetutë.
Kjo është një kërkesë krejtësisht normale dhe unë do ta lexoj shkresën me më hollësi, por në parim jam 100% dakord, nuk duhet të ketë për deputetët mbrojtje. Ajo është mbrojtje parlamenti, unë kam mbrojtur parlamentin jo Sali Berishën. Por që një gjykatës të thotë se, nuk është heqje lirie heqja e daljes jashtë shtetit, ku kushtetuta sanksionon një nen të veçantë për daljen jashtë shtetit të shtetasve. Kjo është tallesh me kushtetutën, ose të rishkruash kushtetutën.
Unë kam mbrojtur thjeshtë pushtetin e parlamentit. Do parlamenti që ta dorëzoj që nesër, unë e votoj që nesër. Nuk kam asnjë kundërshtim. Nuk mund të ketë. E kam thënë dhe e them. Besoj se isha i qartë në këtë pohim timin. Kanë gabuar rëndë ata që kanë kujtuar se unë nuk paraqitem. Unë e kam thënë me dhjetëra, jam paraqitur dhe paraqitem. Por në këtë rast kemi të bëjmë me shkruarjen e kushtetutës, një akt puçist. Marrje pushteti për llogari të Edi Ramës, nga gjykatës dhe prokurorë të përgjegjshëm. Kaq.
Osman Stafa, News24: Në fakt ju e thatë, se nuk e keni zbatuar vendimin e deritanishëm të Gjykatës së Posaçme për shkak se e keni cilësuar antikushtetues. Nëse parlamenti i Shqipërisë do të votojë për heqjen e imunitetit tuaj, vendimin e gjykatës që mund të shkojë deri në ashpërsim mase, ‘arrest shtëpie’ do ta respektoini?
Sali Berisha: Çfarëdo vendimi pas autorizimit të parlamentit, do ta respektoj pa asnjë diskutim. Qëndrimi im, i përsëritur këtu, ua kam thënë sa herë keni pyetur, ka të bëjë me kushtetutshmërinë e vendit. Unë nuk mund të bëhesha kurrë njeriu që zbatoi një vendim antikushtetues. Isha në vështirësi në këtë rast se kishte të bënte me mua, por ai ishte një akt i shkruarjes së Kushtetutës në zyrat e prokurorëve ose gjykatësve. Nuk mund të ndodhte dhe nuk ndodh kurrë përmes Sali Berishës.
Tani parlamenti të vendosë ç’të dojë, sepse unë kam firmosur në vitin 2012, abrogimin e nenit 70 të Kushtetutës, pikës 3 që i jep atributet deputetit. Ndaj dhe kjo është një gjë që po e vendosi parlamenti. Unë vetë po e përgatisja për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Se në rast se Gjykata Kushtetuese vendos, unë do e zbatoj sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i barabartë me prerogativën kushtetuese.
Një vendim i Gjykatës Kushtetuese për mua do ishte 100 përqind i zbatueshëm për faktin se në doktrinën e të drejtës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i barabartë me prerogativën dhe ajo bëhej shteg për t’u zbatuar ai amendament që unë kam çuar në vitin 2012.
-Çfarë ka ndryshuar që po e marrim nëse do të hiqet imuniteti juaj, ju do të respektoni vendimin e gjykatës të ndërmarrë ndaj jush. Ju do të respektoni një vendim që e merr Edi Rama, se keni thënë se pas SPAK është Edi Rama?
Sali Berisha: Kjo e gjitha është e Edi Ramës, por unë këtu para jush e kam thënë 100 herë që jam pa asnjë kusht për hetimin, sepse e kemi hequr nga Kushtetuta hetimin. Unë nuk mund të kem dy qëndrime, unë jam njeri i një standardi. A është i drejtë apo i padrejtë, ai është tjetër qëndrim, por asnjë lloj shmangie nga organet e drejtësisë nuk mund të ketë, përveç rastit kur ato i morën pushtet parlament. Tani e zgjidh parlamenti. Sa herë kanë ardhur për të sjellë ato fletushkat, u kam thënë dërgojini në parlament. Kjo ka qenë përgjigja ime. Tani vendos parlamenti, të jetë fare i lirë parlamenti.
Ardit Hoxha, EuroNews: Ju u treguat i gatshëm për të vijuar betejën tuaj personale me drejtësinë për këtë çështje, duke i shtuar edhe akuzat që keni ndaj pushtetit gjyqësor. Pyetja ime është, çfarë do të ndodhë me opozitën dhe PD në kushtet kur potencialisht lideri i opozitës do të jetë ose në ‘arrest shtëpie’ apo në një masë më të ashpër gjyqësore. A do të ndërmerrni ju ndonjë akt për të hapur rrugën dhe për të krijuar mundësi që PD e opozita ta vijojë betejën e saj politike veçmas përballjes tuaj gjyqësore.
Sali Berisha: Tani, edhe njëherë. Vendimi i parlamentit do të zbatohet nga Sali Berisha, sado që vendimi i skap është vendim i paligjshëm, i bazuar në një vendim të paligjshëm. Por nëse parlamenti, se edhe njëherë, kufizimet ndaj drejtësisë, imuniteti, nuk janë të individit, janë në radhë të parë të parlamentit. Janë të parlamentit në mënyrë që askush të mos mund ta destabiliziojë me procedura të tjera parlamentin.
Ky është morali i tyre. Pastaj sigurisht individi është pjesë e parlamentit. Në këtë kontekst, nëse parlamenti pranon këtë vendim të paligjshëm të bazuar edhe ky mbi një vendim antikushtetues të paligjshëm është përgjegjësia e tij. Unë do të përputhem me veprimet e gjyqësorit.
Përsa i përket opozitës të garantoj se asgjë nuk e ndalon dot betejën e saj pa kthim gjer në fitore. Ajo do të zhvillohet në çdo skaj dhe shqiptarët e shohin këtë si një përpjekje tjetër për të dëmtuar opozitën dhe për ta ç’aktivizuar atë. Por e kundërta do të ndodhë. Ky është një frymëzim për opozitën. Ky akt që ndërmerret kundër meje, është një frymëzim dhe kushtrim i ri për opozitën. Në këtë kontekst ndihem më i motivuar se kurrë.
Anesti Bajramemaj: Opozita prej 2 muaj është duke e bërë betejën e saj në parlament duke mos lejuar asnjë seancë normale. A do të lejoni seancën ku do të votohet për heqjen tuaj të imunitetit që të zhvillohet normalisht.
Sali Berisha: Atë do të vendosë grupi parlamentar. Ky nuk është vendim i Sali Berishës, por i grupit parlamentar, i cili tani është i mbledhur.
Isa Myzyraj, Ora News: Sipas rregullores, këshilli i mandateve dhe imunitetit, duhet të zhvillojë një mbledhje, ndoshta nesër. Dhe ju keni të drejtë për të shkuar në atë mbledhje për të paraqitur parashtrimet tuaja. Do të merrni pjesë në mbledhjen e këshillit për rregulloren dhe mandatet?
Sali Berisha: Gjithçka do të vendoset në orët që vijnë.
The post Sali Berisha publikon korrespondencën dhe fajëson Erion Veliajn: Po bën gati arratisjen, u bëj thirrje që të mos pranohet kërkesa e tij për azil appeared first on Shekulli.