Kombëtarja e Shqipërisë ka siguruar biletën e kualifikimit për në Kampionatin Evropian që do të mbahet në Gjermani vitin e ardhshëm, pas barazimit 1-1 ndaj Moldavisë në udhëtim.
Shqipëria ishte pothuajse gjatë tërë kohës më e mirë se kundërshtari duke pasur posedimin dhe rastet në anën e saj.
Fillimi i ndeshjes ishte i zbehtë pa raste të mira shënimi, teksa të dy ekipet po prisnin ndonjë gabim eventual të njëra tjetrës për të rrezikuar.
Vendasit mundësinë më të mirë për gol e patën në minutën e 16-të, por goditja e Nicolaescut u ndal me sukses nga Etrit Berisha.
Kuqezinjtë kaluan në avantazh në minutën e 25-të, me Sokol Cikalleshin që realizoi për 1-0 pasi u tregua i saktë nga penalltia të cilën e fitoi Taulant Seferi.
Me epërsinë minimale të Shqipërisë përfunduan 45 minutat e parë të përballjes.
Në pjesën e dytë vendasit morën kontrollin e ndeshjes por pa arritur të shënojnë pasi hasën në rezistencë të fortë nga mbrojtja e Shqipërisë.
Nicolaescu pati mundësinë e artë për të barazuar shifrat në minutën e 55-të, por Berisha nuk lejoi që të mposhtej.
Shqipëria në anën tjetër rrezikoi seriozisht në minutën e 73-të por goditja e Taulant Seferit u ndal nga shtylla.
Moldavia arriti të barazojë shifrat në minutën e 87-të pas një tollovie brenda zonës ku autor i golit ishte mbrojtësi Vladislav Baboglo.
Deri në fund nuk kishte më raste të mira shënimi dhe Shqipëria siguroi kualifikimin për herë të dytë në historinë e saj në Evropian pasi paraprakisht kishin qenë pjesëmarrës në vitin 2016.
Pas kualifikimit të Shqipërisë në Euro 2024, Sylvinho foli pas ndeshjes ku theksoi se e ka për nder që është trajner i kuqezinjve.
Ndër të tjera, braziliani shtoi se ka shumë pasion dhe dashuri në punën që bën ai dhe stafi dhe nuk ka të bëjë vetëm taktika.
“Meritë e djemve dhe të gjithë njerëzve që na kanë mbështetur, është nder të jem trajneri i kombëtares së Shqipërisë dhe të ndjej pasionin e njerëzve. Gjithçka është shumë e bukur”.
“Nuk është vetëm Sylvinho, është Zabaleta, Doriva, Bulku i gjithë stafi. Më shumë se taktika është pasioni dhe dashuria për futbollin, ka pasion në punën tonë. Rezultati nuk vjen shpejt, ne kemi bërë një punë të mirë dhe kemi marrë rezultat, është një kombinim i mirë”.
“Moldavia po luante për gjithçka, nuk kishin çfarë të humbnin. Luanin me topa të gjatë dhe ishte e vështirë, ata nuk kanë humbur në shtëpi. Kanë humbur vetëm një ndeshje në kualifikuese, kundër nesh në Shqipëri”.
“Kombëtarja është e hapur për lojtarë të rinj, kemi një skuadër të konsoliduar, por kjo është puna e një kombëtareje, jemi gati të presim lojtarë që janë në formë”, ka thënë Sylvinho.
Duke folur ai mbërrin Berat Gjimshiti, për të cilin Sylvinho ka vetëm fjalë të mira.
“Ky djalosh e meriton shumë këtë moment, është shembull për të gjithë ne”, deklaroi braziliani.
A do të fitojmë Evropianin? Ndeshja e radhës është kundër Ishujve Faroe”, u shpreh Sylvinho, duke mos dashur të komentojë.
Mbrojtësi i Shqipërisë, Berat Gjimshiti u shpreh i kënaqur pas barazimit 1-1 me Moldavinë, rezultat ky që solli biletën për në Euro 2024.
“Përjetim i papërshkrueshëm. Nuk ishte ndeshja jonë më e mirë. Një pikë na çoi në Europian, jemi të gjithë të lumtur. Sa shumë shqiptarë që kishte në stadium, i falenderoj shumë të gjithë. Kemi tifozët më të mirë në botë.
E kemi kuptuar që do të shkonim në Europian, kur fituam me Çekinë 3-0, ajo na dha vetëbesim. E menduam të gjithë që ishim të kualifikuar, por duhet të ishim të gjithë me këmbë në tokë. Gjithçka u arrit.
Edhe herën e fundit isha në eliminatore, pastaj nuk shkova në Europian, të presim (qesh). Rëndësi ka të kemi shëndetin. Duhet të shfrytëzojmë çdo moment dhe të ndjejmë atë emocion”, u shpreh Gjimshiti.
The post SHQIPËRIA KUALIFIKOHET NË EURO 2024, Kuqezinjtë barazojnë në Moldavi, nis festa shqiptare appeared first on Shekulli.